Skip to main content

Kriteret për Mjetet Historike / Statusi Retro

  • Statusi “RETRO” i jepet një mjeti rrugor të hershëm vetëm kur, pas vlerësimit nga Komisioni “RETRO”, ai plotëson kriteret e përgjithshme si më poshtë:

  • mjeti të jetë prodhuar së paku përpara 30 (tridhjetë) vjetësh;

  • të jetë i ruajtur, i restauruar apo i rikonstruktuar në formën e tij origjinale;

  • të mos përdoret për qarkullim të përditshëm dhe të mos ketë shfrytëzim ekonomik;

  • të klasifikohet në kategorinë e mjeteve rrugore me vlerë historike;

  • të mos jetë më në prodhim.

  • Mjetet që janë ose kanë qenë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, të cilat zbatohen pavarësisht statusit të mjetit në Regjistrin Kombëtar të Mjeteve Rrugore.

  • Për mjetet që importohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, përveç kritereve të përgjithshme të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, zbatohen edhe rregullat e mëposhtme:

    • importi i një mjeti rrugor të hershëm, të prodhuar pas datës 31.12.1970, kufizohet sipas Listës së Miratuar të Mjeteve Historike dhe Listës “Future Classics”, në përputhje me parashikimet e nenit 9 dhe 10 të kësaj Rregulloreje;

    • përjashtimisht nga shkronja “a”, mund të shqyrtohen për fitimin e statusit “RETRO” edhe automjetet e hershme rrugore të importuara që zotërojnë një Certifikatë Historike të vlefshme, të lëshuar nga një klub i huaj me anëtarësim në FIVA.

  • Mjetet Replika (Replica) mund të importohen dhe të pranohen për verifikim, nëse plotësojnë kriteret e përgjithshme sipas pikës 1, si dhe nëse imitojnë modele të prodhuara para datës 31.12.1970. Modelet e imituara që i përkasin periudhës pas datës 31.12.1970 pranohen vetëm nëse përfshihen në listën e mjeteve historike. Për qëllim të përcaktimit të kriterit të vjetërsisë, merret si referencë viti i montimit/ndërtimit efektiv i mjetit dhe jo viti i prodhimit të modelit të imituar.

  • Për mjetet “Future Classics”, zbatohet rregulli i vjetërsisë më të vogël se 30 vjeçare si dhe modeli/varianti i tyre duhet të jetë pjesë e listës së mjeteve “Future Classics”. Mjetet “Future Classics” nuk mund të pajisen me Certifikatë Njohjeje, por mund të regjistrohen përkohësisht, pas vlerësimit nga Komisioni Retro, vetëm gjatë periudhës së fundit 5 (pesë) vjeçare, përpara se të përmbushin kriterin e vjetërsisë 30 (tridhjetë) vjet për marrjen e statusit Retro.

  • Sistemi i drejtimit në krahun e djathtë lejohet për mjetet të cilat i plotësojnë kriteret për marrjen e statusit “RETRO”, vetëm në rastet kur mjeti është i prodhuar nga prodhuesi me këtë lloj sistemi drejtimi.

Mjeti i cili ka fituar statusin Retro pajiset me Certifikatë Njohje dhe Libër Udhëtimi. Certifikata, Libri i Udhëtimit dhe polica e sigurimit duhet të mbahen në mjet gjatë udhëtimit

  • Plotësoni formularin e aplikimit;
  • Sektori Retro verifikon dokumentet dhe të dhënat teknike të mjetit. Nëse mjeti juaj përmbush kriteret, do t’ju caktohet një datë për kontrollin fizik;
  • Komisioni Retro kryen kontrollin fizik të mjetit. Nëse vlerësimi është pozitiv, mund të vijoni me procedurën e regjistrimit, pranë sporteleve të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor;
  • Mjeti që fiton status Retro, pajiset me targa Retro dhe me dokumentacionin përkatës, me vlefshmëri 4 vjeçare.

TarifatPër automjetePër motoçikleta / ciklomotorë
Pagesa është e vlefshme për 4 vite
Procedura e verifikimit dhe klasifikimit si mjet rrugor i hershëm10,000 Lekë10,000 Lekë
Pajisje me Targa Retro4,000 Lekë (2 targa)2,000 Lekë (1 targë)
Certifikata e Njohjes2,000 Lekë2,000 Lekë
Tarifë për kontrollin fizik/teknik nga Komisioni Retro2,000 Lekë500 Lekë
Libri i Udhëtimit6,000 Lekë6,000 Lekë
Totali24,000 Lekë20,500 Lekë
*Tarifa për rikontrollin fizik/teknik nga Komisioni Retro800 Lekë200 Lekë

Pasi fiton statusin Retro, mjeti pajiset me targa të posaçme, që kanë formatet si në vijim:

Për automjete:

  • Targë e gjatë normale (520mmx112mm)
  • Targë katrore (264mmx205mm)
  • Targë e gjatë e vogël (290mmx70mm) 

Për motor/ciklomotorë:

  • Targë ciklomotori (130mmx115mm)
  • Targë motori (175mmX170mm)

  • Mjetet Retro mund të qarkullojnë për një total prej 90 ditësh përgjatë një viti; 
  • Kur pronari i mjetit është anëtar i një shoqate mjetesh historike, ai mund të qarkullojë 180 ditë përgjatë një viti. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje mes shoqatës së mjeteve historike dhe DPSHTRR-së. 

Për më shumë informacion: Apliko si shoqatë e mjeteve historike      

 

Mjeti Retro duhet të pajiset me policë sigurimi të detyrueshëm, njësoj si mjetet për qarkullim të zakonshëm. 

Mjeti me status Retro mund të lëvizë lirshëm jashtë kufirit të shtetit Shqiptar. Në këtë rast, mjeti duhet të pajiset karton jeshil (policë sigurimi ndërkombëtare).

  • Për mjetet e prodhuara para vitit 1970

Mjetet e prodhuara përpara vitit 1970 mund të importohen pasi konsiderohen si mjete të hershme me interes historik dhe koleksionimi:

  • automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
  • automjetet e prezantuara si model për prodhim deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit efektiv të prodhimit;
  • automjetet që paraqesin vlera teknike, muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

 

  • Për importin e mjeteve të prodhuara ndërmjet viteve 1971-1995

Lista Zyrtare e Mjeteve Historike përmbledh ato mjete rrugore që konsiderohen se mbartin vlerat e nevojshme historike për t'u bërë pjesë e Koleksionit Retro. Përpara se të blini apo importoni një mjet historik, duhet të konsultoheni me këtë Listë. Prania në këtë listë është kriter i detyrueshëm për importin dhe përfshirjen në Regjistrin e Mjeteve Retro.

  • Për importin e mjeteve vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet

Në Shqipëri qarkullojnë shumë mjete me vjetërsi mbi 20 vjet, por jo të gjitha zotërojnë vlera historike. Për të dalluar qartë mjetet e vjetra nga mjetet me interes historik, është hartuar Lista “Future Classics”, që përfshin modele me vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet. Prania në këtë listë është kriter i detyrueshëm për përfshirjen në Regjistrin e Mjeteve Retro. Procesi do të vijojë vetëm kur mjeti të plotësojë vjetërsinë e domosdoshme (30 vite).

Për ato mjete që nuk janë përfshirë në Listën e Mjeteve Historike, mund të paraqitet një kërkesë me shkrim për përfshirjen e modelit në fjalë në këtë listë. Lista e Mjeteve Historike përditësohet çdo gjashtë muaj dhe publikohet këtu.

 

Mjeti me status Retro përjashtohet nga taksa vjetore e qarkullimit dhe nga kontrolli teknik vjetor i mjeteve. Kontrolli teknik i mjetit që ka fituar statusin Retro kryhet një herë në çdo 4 vjet.

Zotëruesi i mjetit Retro gëzon:

  • Të drejtën të ekspozojë mjetin e tij, si dhe të qarkullojë me të sipas dëshirës, brenda afateve të përcaktuara më sipër;
  • Të drejtën për të marrë pjesë në parada, organizime, panaire, shfaqje, ture automobilistike, etj;
  • Të drejtën për t’u anëtarësuar në shoqata mjetesh historike vendase apo të huaja;
  • Etj.