Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Postën Shqiptare e në vijimësi të projektit Retro Albania, koleksionit shqiptar të mjeteve historike si pjesë e trashëgimisë së Automotorizimit Shqiptar dhe zhvillimit të saj, në jubileun e 110 vjetorit të Pullës Postare Shqiptare, zbuloi sot një koleksion të shumëpritur të pullave postare me tematikë automotive.
Një takim që mblodhi së bashku entuziastë, koleksionistë dhe adhurues të automobilave dhe pullave postare në ambientet e Muzeut të Pullës Shqiptare për të dëshmuar këtë moment historik.
Koleksioni i pullave postare me temë automobilistike, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të DPSHTRR dhe Postës Shqiptare për të nderuar dhe vënë në pah aspekte të ndryshme të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare. Automjetet e përzgjedhura për të qenë pjesë e pullave postare janë ato që kanë lënë një ndikim në historinë e automotorizimit shqiptar, të cilat për nga karakteristikat e zhvillimeve historike të vendit tonë nuk janë të shumta dhe si të tilla duhet të jemi të kujdesshëm t’i ruajmë më së miri në memorien e gjithësecilit prej nesh.