Skip to main content

Shkarko Portofolin Retro

Koleksioni Retro

Koleksioni i mjeteve historike shqiptare bashkon kënaqësinë e ruajtjes me historikun e automotorizimit. Që prej fillesave, anëtarët I janë përkushtuar gjetjes, ruajtjes, restaurimit dhe shijimit të mjeteve të të gjitha shijeve të prodhuara në të gjithë botën dhe të përdorura apo importuara në Shqipëri. Koleksioni ndahet në mjetet e para viteve 1970-të dhe ato që i përkasin viteve të prodhimit midis 1970-1990. 

Koleksioni RETRO ka realizuar ekspozime mjetesh, parada në qytete të ndryshme të vendit, është bashkuar me klube të tjera në rajon, ka realizuar botimin e historisë së automotorizimit shqiptar ndër vite dhe plot aktivitete dhe materiale të tjera që publikohen çdo ditë që prej themelimit të këtij komuniteti. 

Qëllimi dhe Misioni i Retro: 

  • Të organizjë dhe mbështesë atë pjesë të historisë së automotorizimit që ende është e gjallë dhe prezantimi i objekteve me përmbajtje historike që na mundësojnë të mësojmë më shumë mbi trashëgiminë tonë përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë. 
  • Promovimi i shkëmbimit shoqëror dhe shoqërizimin midis anëtarëve dhe palëve të tjera, për të referuar dhe inkurajuar mirëmbajtjen, restaurimin dhe shpëtimin e mjeteve historike në vendin tonë. 
  • Zhvillimin, publikimin dhe shkëmbimin e informacioneve historike e teknike për dhe ndërmjet anëtarëve dhe të interesuarve e të pasionuarve pas kulturës së motomjeteve. 
  • Misioni i këtij projekti është jetëzimi deri më sot pa status i trashëgimisë së automotorizimit në Shqipëri duke ofruar informacione, shërbime dhe lehtësira për këtë kategori mjetesh dhe koleksionuesit. 

Mjetet historike dallohen për dizajnin e shkëlqyer përfaqësues, standardet e larta inxhinierike dhe mjeshtërinë. 

 

Çfarë është RETRO? 

Historiku 

RETRO është një projekt i iniciuar nga DPSHTRR - Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në vitin 2019. Në Shqipëri kishte shumë auto dhe motomjete, të lëna në harresë, që përcaktoheshin me termin ‘’të vjetra’’  duke mos u vlerësuar, ndaj dukej se nevojitej një organizim i ri për vlerësimin e tyre. 

Misioni i këtij projekti është jetëzimi deri më sot pa status i trashëgimisë së automotorizimit në Shqipëri duke ofruar informacione, shërbime dhe lehtësira për këtë kategori mjetesh dhe koleksionuesit. Gjithashtu synohet edukimi i të rinjve shqiptarë në profesionet teknike lidhur me fushën e restaurimit dhe mekanikës.

Më 24 prill 2019, u organizua Retro Publik si dëgjesë dhe bashkëbisedim mes klube dhe shoqata, restaurues, përfaqësues nga biznese në fushën e automobilizimit, specialistë të sektorit automotiv dhe përfaqësues politikash e shërbimesh të transportit rrugor, ku u propozuan mundësi dhe rregulla për përmirësimin e akteve ligjore për mjetet me interes historik.

Çështje dhe problematika me interes që sollën krijimin e Koleksionit Shqiptar Retro ishin: regjistrimi i mjeteve historike, taksat, mungesa e dokumentacioneve, homologimi duke shkëmbyer sugjerime dhe eksperienca mes pjesëmarrësve, stafit organizator dhe specialistëve të fushës.

Pasioni për mjetet historike dhe dëshira për të krijuar dhe dokumentuar një kulturë të automotorizimit në Shqipëri ështe pika lidhëse që bashkon të gjithë grupet e interesit që prej asaj dite.

Duke filluar nga Qershori i vitit 2020 deri në Shtatot të vitit 2021, janë verifikuar nga Komisioni RETRO 446 mjete dhe kanë fituar statusin e mjetit historik 334 mjete. Në total janë pajisur me targa të posaçme RETRO 289 mjete, nga të cilat 150 janë motomjete dhe 132 automjete.  

Sot anëtarësimi në klubin e diskutimit Retro arrin mbi 3500 anëtarë në mbarë botën. Selia e klubit është në Tiranë, por në thelb, RETRO është kudo ku festohen mjetet historike. 

 

Komisioni Retro 

Si të ketë plotësuar kushtet e vjetërsisë, ruajtjes së origjinalitetit dhe vlerave historike, mjeti fiton statusin e synuar, e mandej pajiset me targat e posaçme RETRO, të cilat tani e tutje e çlirojnë nga taksa e detyrime marramendëse, dhe i mundësojnë qarkullim vjetor të kufizuar në numër ditësh por të mjaftueshëm për ta ruajtur mjetin në gjendje pune si dhe për të kapërcyer kufijtë shtetërorë.

Mjetet me statusin Retro: Përfitime dhe Lehtësira

 “Statusi i veçantë” nënkupton ofrimin e lehtësirave për këto mjete si përjashtimi nga  taksat e luksit, ndalesat e importit lidhur me kategorinë mjedisore, përjashtimi nga taksa  vjetore e qarkullimit, nga taksat mjedisore, si dhe nga kontrolli teknik periodik.  

Gjithashtu zotëruesi i një mjeti Retro gëzon: 

  • Të drejtën për të marrë pjesë në parada, organizime, panaire, shfaqje, ture  automobilistike, etj.  
  • Të drejtën për t’u anëtarësuar në shoqata vendase apo të huaja, të cilat kanë si  objekt të veprimtarisë së tyre ruajtjen, koleksionimin dhe shfaqjen e mjeteve  rrugore të hershme;
  • Të drejtën të ekspozojnë mjetet e tyre në muze publikë apo privatë, si dhe  rrugëtime individuale. 

Importi i mjeteve me vlera historike

Ekziston tashmë Lista e mjeteve historike e cila përditësohet vazhdimisht dhe udhëzon mbi modelet përpara importit të mjeteve nga jashtë. Nëse një mjet përfshihet në Listë atëherë blerësi mund të ndjekë procesin e importimit dhe asistohet nga stafi Retro dhe me procedurat e regjistrimit. Nëse nuk gjendet në listë por mendohet se përmban vlera për të qenë mjet historik, atëherë mund të kërkohet një rivlerësim nga sektori Retro pranë DPSHTRR.

 

Aktivitete

RETRO Tour

RETRO Tour janë ngjarje emocionuese dhe argëtuese për pjesëmarrjen e të gjithë publikut, për koleksionistët dhe miqtë e familjarët e tyre. Nuk është e nevojshme të zotërohet një mjet historik për të marrë pjesë në aktivitetet e Retro Tour. Eventet Retro janë shfaqjet kryesore kombëtare dhe rajonale për mjetet historike, nëpërmjet tyre njihemi edhe me klubet ekzistuese në rajon dhe ndërkombëtarisht. 

Koleksioni automobilistik shqiptar është kthyer në traditë turistike-kulturore në qytetet kryesore të Shqipërisë si Tirana, Korça, Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra, pikërisht në ato qytete ku në kohët e para, këto makina shëtitnin aso kohe apo ku ca kohë më pas shoqëruan ngjarje politike domethënëse. Veç këtyre qyteteve, koleksioni përgatitet vazhdimisht të vizitojë edhe vende të tjera, të gjitha këto me një atmosferë festive nën tingujt e muzikës “Jazz & Swing”, që rikthejnë të shkuarën. 

Fuqia promovuese e botës së automobilizmit në turizëm dhe në industrinë e eventeve I ka dhënë frytet e veta, duke zgjuar interes edhe tek bizneset. Ndryshe nga pak vite më pare kur këto mjete dhe kjo kulturë ishin lënë në harresë, mjetet historike kërkohen tanimë si atraksion për aktivitete të ndryshme, për krijimin e materialeve multimediale artistike dhe promocionale dhe gjithashtu për edukimin e profesionistëve të rinj në restaurim.

N’Gaz - Kremti i 20-vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit  Rrugor (DPSHTRR) dhe themelimi i Regjistrit të parë zyrtar RETRO

N'GAZ ishte ekspozimi i dhjetëra mjeteve historike të koleksionit RETRO, linjës muzeale arkivore, fotografive të vjetra, dokumenteve e artefakteve shekullore të automotorizimit si pjesë e këndit RETROspektivë, muzikë Sëing & Jazz, biseda e diskutime mes qindra pasionantëve të historisë, artit dhe kulturës, përfaqësuesish nga institucione dhe partnerë e koleksionistë shqiptarë. Gjatë mbrëmjes së ceremonisë u ndanë çmime mirënjohjeje personave, të cilët kanë ofruar kontribut të çmuar në fushën e automotorizimit shqiptar.

1-3 Nëntor 2019 / Pallati i Brigadave dhe  Sheshi “Skënderbej”

Targa Suvenir

Punishtja e Targave Suvenir është pjesë e pandashme e aktivitetit të Retro. Një pjesë e madhe e targave të vjetra me fushën e bardhë dhe simbolin e flamurit kombëtar me simbolin e shqiponjës, doli jashtë përdorimi pas ndryshimit të formatit të targave shqiptare, derisa projekti Retro solli personalizimin e tyre. Këto targa mund të modifikohen sipas dëshirës së kujtdo me emra, ngjyra dhe simbole të reja. Ky format është përdorur për dhurata të ndryshme dhe porosi personale të cilat realizohen online ose prodhohen direkt në Punishten lëvizëse të Targave Suvenir nëpër aktivitetet e Retro Tour. Fondet prej tyre shkojnë për financimin e aktiviteteve e projekteve RETRO.

Gjithçka zu fill kështu, mes njerëzish e makinash që kishin humbur në rrjedhë të kohës, pikërisht ato makina që kishin qenë objekt i dëshirave të tyre, e për të cilat kishin dëgjuar histori, por që tani të ngjallnin dhimbje pasi qenë çuar për hekurishte, të shitura për “bukën e gojës”.

Shumë vite të kaluara në harresë, derisa u ringjallën nga një rrjet i madh njerëzish që më në fund, panë shpresën e rijetëzimit të asaj çka qe ndryrë në magazina për vite me radhë.

Kjo qe dhe pikënisja e arkeologjisë automobilistike e quajtur RETRO. Skenat që sot krijojnë paradat e saj, kanë qenë së pari fryt ëndërrimesh.