Skip to main content

Importi i Mjeteve Retro

Përpara se të importoni një mjet në Republikën e Shqipërisë, ju duhet të informoheni mbi hapat për t’u ndjekur, nisur nga viti i prodhimit të mjetit që dëshironi të importoni.

 

Mjet i prodhuar para vitit 1970

Mjetet e prodhuara përpara vitit 1970 mund të importohen pasi konsiderohen si mjete të hershme me interes historik dhe koleksionimi:

  • automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
  • automjetet e prezantuara si model për prodhim deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit efektiv të prodhimit;
  • automjetet që paraqesin vlera teknike, muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

Pas përfundimit të procesit të zhdoganimit, vijoni me aplikimin për RETRO

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 633, datë 26.10.2018. 

https://www.retro.al/sites/default/files/downloads/vkm_nr.633_dt.26.10.2018.pdf

 

Mjet i prodhuar ndërmjet viteve 1970-1992

Konsultoni Listën Zyrtare të Mjeteve Historike për mjetet e prodhuara ndërmjet viteve 1970-1992. Kjo Listë vlen për të verifikuar nëse mjeti që dëshironi të blini, importoni apo restauroni mbart vlerat e nevojshme historike për t'u bërë pjesë e Koleksionit RETRO.

Prania në këtë listë është një kriter i domosdoshëm për importin e një mjeti historik që synon të marrë statusin Retro. Gjithashtu, për përfshirjen në Regjistrin e Mjeteve RETRO, mjeti duhet të jetë i mirëmbajtur, të jetë restauruar duke ruajtur origjinalitetin, etj. 

a. Nëse mjeti është pjesë e listës, mund të vijohet me importin e tij. 

Për të kryer procedurën e zhdoganimit, punonjësi i doganës nis një kërkesë me email pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për zhdoganimin si mjet RETRO. Sektori i Verifikimit të Mjeteve pranë DPSHTRR jep konfirmimin nëpërmjet e-mailit te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pasi ka verifikuar që modeli i mjetit është i përfshirë në listën e mjeteve historike. Kjo procedurë realizohet në 1-2 ditë.

Pas përfundimit të procesit të zhdoganimit, vijoni aplikimin për RETRO.

b. Nëse mjeti nuk është pjesë e kësaj liste zyrtare të miratuar, ju nuk mund ta importoni atë pasi nuk do të mund ta regjistroni e të qarkulloni me të. 

Të gjitha kërkesat e depozituara për informim në lidhje me modele që nuk janë përfshirë në këtë listë do të shqyrtohen nga grupi i ekspertëve që kanë hartuar Listën, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.

 

Mjet i prodhuar ndërmjet viteve 1991-2001 “Future Classics”

Lista e Zhvillimit “Future Classics”, përfshin modele me vjetërsi ndërmjet 20 dhe 29 vjet (të prodhuara midis viteve 1991-2001). Kjo listë do të shërbejë si një udhëzues për ruajtjen e atyre mjeteve që aktualisht qarkullojnë në Shqipëri, si dhe për importin e modeleve që paraqesin vlera potenciale historike, por ende nuk e kanë arritur vjetërsinë për të vijuar me procesin e përfshirjes në Regjistrin e Mjeteve Historike Retro.

a. Nëse mjeti është pjesë e Listës “Future Classics”, ju mund të vijoni me importin e tij. Në këtë rast, për të kryer procedurën e zhdoganimit, punonjësi i doganës nis një kërkesë me email pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganeve, për zhdoganimin si mjet RETRO. Sektori i Verifikimit të Mjeteve pranë DPSHTRR verifikon nëse modeli i mjetit është i përfshirë në Listën “Future Classics”, e më pas dërgon konfirmimin me email tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të vijuar me zhdoganimin e mjetit.

*Vini re! Procesi i marrjes së statusit Retro do të vijojë vetëm kur mjeti të plotësojë vjetërsinë e domosdoshme (30 vite). 

Shembull: Nëse mjeti ka vit prodhimi 1995, ju duhet të aplikoni për RETRO në vitin 2026, pasi në atë vit mjeti plotëson vjetërsinë 30 vite (kriter i domosdoshëm për  RETRO).


b. Nëse mjeti nuk është pjesë e kësaj liste zyrtare të miratuar ose nuk plotëson kategoritë e lejuara mjedisore, nuk është i mundur regjistrimi dhe qarkullimi i tij.

 

VERIFIKO NJË MJET HISTORIK

Lista e mjeteve historike përditësohet rregullisht. Grupi i ekspertëve që kanë hartuar listën marrin në shqyrtim të gjitha kërkesat për informim në lidhje me modele që mund të mos jenë përfshirë në këtë listë. Këto kërkesa do të vlerësohen rast pas rasti, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.
Nëse mjeti që dëshironi të regjistroni në Retro nuk bën pjesë në Listën Zyrtare të Mjeteve Historike (pasqyruar në këtë faqe), si listë referencë para Vlerësimit nga Komisioni Retro pranë DPSHTRR, do duhet të depozitoni një kërkesë dhe të prisni përgjigjen! 

Lista e mjeteve historike përditësohet rregullisht (çdo gjashtë muaj).