Skip to main content

UDHËZUESI PËR RUAJTJEN DHE IMPORTIN E MJETEVE

LISTA E MJETEVE HISTORIKE 

QË MUND TË APLIKOJNË PËR STATUSIN RETRO

 

  • Je një i adhurues i mjeteve historike dhe dëshiron të importosh, të blesh apo të restaurosh një mjet të vjetër? 
  • Nuk je i sigurt nëse ky mjet plotëson kushtet për t'u bërë pjesë e RETRO? 

Konsultohu me Listën Zyrtare të Mjeteve Historike për të verifikuar nëse mjeti që dëshironi të importoni mbart vlerat e nevojshme historike për t'u bërë pjesë e Koleksionit RETRO!


Të gjitha automjetet e prodhuara para vitit 1970 klasifikohen si mjet historik. Për këtë arsye, prania e tyre në Listën e mjeteve historike nuk është e nevojshme për shkak të privilegjeve të garantuara nga Ligji. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 633, datë 26.10.2018, lejohen të importohen:

  • automjetet e prodhuara deri në Dhjetor 1970;
  • automjetet e prezantuara si model për prodhim deri më 31 Dhjetor 1970, pavarësisht vitit efektiv të prodhimit;
  • automjetet që paraqesin vlera teknike, muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

Për më shumë informacion mbi importin e automjeteve të prodhuara përpara vitit 1970, këtu mund të shkarkoni VKM Nr. 633.


Me qëllim rritjen e cilësisë së automjeteve të hershme që importohen në Republikën e Shqipërisë dhe rritjen e efiçencës në administrimin e aplikimeve, miratohet një listë me markat, modelet dhe versionet e automjeteve që konsiderohen se mbartin vlera historike. Sektori Retro mbështetet në këtë listë për vendimmarrjet përkatëse.

Për ato automjete që nuk janë përfshirë në Listën e Mjeteve Historike, por ka arsye për të besuar se mund të mbartin vlera historike, mund të paraqitet një kërkesë me shkrim për përfshirjen e modelit në fjalë në Listën e Mjeteve Historike, duke argumentuar kërkesën dhe duke përfshirë gjithë dokumentacionin mbështetës. Prioritet do të kenë automjetet:

  1. lindore (të prodhuara në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, Kinë, apo vende të tjera të bllokut lindor);
  2. që janë përdorur në një eveniment/aktivitet që shënon një ngjarje jubilare në histori;
  3. që janë përdorur nga një personalitet që ka lënë gjurmë në histori, brenda ose jashtë vendit;
  4. që janë përdorur në një ngjarje historike ose identifikohen me një vepër arti, produkt, apo situatë me vlera historike/kombëtare dhe me rëndësi për kultura specifike.

 

"Lista e Mjeteve Historike (1970-1993)" Sugjero Mjet


Mjet i prodhuar ndërmjet viteve 1991-2001 “Future Classics”
Mjetet rrugore të hershme me interes historik dhe koleksionimi, të cilat synojnë të regjistrohen si mjete "RETRO", por që aktualisht nuk e plotësojnë kriterin e vjetërsisë 30 vjet, kanë të drejtën të aplikojnë për një skemë regjistrimi të përkohshme. Qëllimi i regjistrimit të përkohshëm është ruajtja e vlerave teknike dhe autentike të mjetit rrugor të hershëm, në mënyrë që ai të mos dëmtohet nga mospërdorimi, duke mos humbur kështu mundësinë për t’u kualifikuar si mjet "RETRO" pasi të arrijë vjetërsinë e kërkuar.

Mjetet e përfshira në listën “Future Classics”, me vjetërsi nga 25 vite deri në përmbushjen e vjetërsisë së nevojshme prej 30 (tridhjetë) vitesh, mund të pajisen me leje qarkullimi për qarkullim të përditshëm dhe targa të zakonshme, duke u regjistruar përkohësisht në Regjistrin Kombëtar të Mjeteve Rrugore. Leja e qarkullimit e këtyre mjeteve duhet të lëshohet me afat të përcaktuar, sipas afatit të konfirmuar nga Komisioni "RETRO" deri në përmbushjen e vjetërsisë së nevojshme prej 30 (tridhjetë) vitesh.

Regjistrimi i përkohshëm jepet për një afat të përcaktuar, jo më shumë se 5 (pesë) vjet. Pas këtij afati, mjeti duhet detyrimisht të çregjistrohet si mjet për qarkullim të përditshëm dhe do t’i nënshtrohet rregullave për fitimin e statusit "RETRO" dhe regjistrimin si mjet "RETRO".

Kriteret për regjistrimin me afat të caktuar të këtyre mjeteve janë si më poshtë:

  • Të jenë të prodhuara ndërmjet 25 dhe 29 vite;
  • Përpara regjistrimit të mjetit, të jetë vlerësuar nga Komisioni "RETRO" që kriteret për fitimin e statusit "RETRO" sipas nenit 6, por me përjashtim të germës “a” të pikës 1 të nenit 6, janë përmbushur;
  • Të jenë lëshuar Formularët R01, R02, R03;
  • Nga ana e komisionit "RETRO", në formularin R03, duhet të jetë përcaktuar:
  • afati se kur do të përfundojë regjistrimi si mjet për përdorim të përditshëm (afat i cili do të shënohet në rubrikën “shënime” në lejen e qarkullimit) dhe nuk mund të bëhet ndërrimi i pronësisë deri në momentin e fitimit të statusit “RETRO”;
  • vendimi që mjeti i plotëson kriteret dhe ndjekja e procedurave për regjistrim për përdorim të përditshëm deri në përfundim të afatit.

 

Për regjistrimin e këtyre mjeteve në DRSHTRR-të respektive, do të zbatohet procedura në fuqi e regjistrimit të mjeteve rrugore;

Nga DRSHTRR-ja ku mjeti ka përfituar shërbimin, do të aplikohet masa administrative e bllokimit të pronarit në sistem, duke pezulluar çdo procedurë për ndryshimin e pronësisë së mjetit deri në përmbushjen e kriterit ligjor të vjetërsisë prej 30 (tridhjetë) vjetësh.
Pronari i mjetit do të njoftohet paraprakisht për datën e përfundimit të afatit të përcaktuar, pas përfundimit të afatit të përcaktuar në lejen e qarkullimit, pronari duhet të dorëzojë targat dhe lejen e qarkullimit. Nëse pronari nuk paraqitet brenda afatit 30 ditor, DRSHTRR kryen njoftimet me shkresë zyrtare drejtuar zotëruesit të mjetit dhe pas 7 (ditësh) kalendarike, bën bllokimin total të mjetit dhe kryen njoftimin pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Me përmbushjen e kriterit të vjetërsisë 30 vite, me kërkesën e zotëruesit mjeti çregjistrohet nga regjistri kombëtar i mjeteve rrugore(Çregjistrim i përhërshëm për Retro) duke ndjekur procedurën e çregjistrimit për mjetet, me status "RETRO" ku dorëzon lejen e qarkullimit, targat e mjetit dhe i nënshtrohet sërish verifikimit nga Komisioni "RETRO", me qëllim pajisjen përfundimtare me statusin e mjetit historik.

 

 

Shkarko “Lista e Future Classics” Sugjero Mjet

KUJDES: Mos blini apo importoni një mjet pa qenë pjesë e Listës Zyrtare të Mjeteve Historike apo pa marrë një konfirmim të posaçëm nga Komisioni Retro - DPSHTRR! Prania e një mjeti në këto lista do të jetë kusht i detyrueshëm për importin dhe përfshirjen e tij në Regjistrin e Mjeteve historike Retro.

 


KUR AUTOMJETI NUK ËSHTË PJESË E LISTËS SË MJETEVE HISTORIKE

Lista e mjeteve historike përditësohet rregullisht (çdo gjashtë muaj). Grupi i ekspertëve që kanë hartuar listën marrin në shqyrtim të gjitha kërkesat për informim në lidhje me modele që mund të mos jenë përfshirë në këtë listë. Këto kërkesa do të vlerësohen rast pas rasti, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.
Nëse mjeti që dëshironi të regjistroni në Retro nuk bën pjesë në Listën Zyrtare të Mjeteve Historike (pasqyruar në këtë faqe), si listë referencë para Vlerësimit nga Komisioni Retro pranë DPSHTRR, do duhet të depozitoni një kërkesë dhe të prisni përgjigjen! 


 

PLOTËSONI KËRKESËN PËR VERIFIKIM: