Njoftim për të gjitha institucionet mbi identifikimin dhe inventarizimin e mjeteve që paraqesin rëndësi historike e koleksionimi!
Të nderuar,
Ju bëjmë me dije se në vendimin nr.880, datë 24.12.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Kodit e Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për herë të parë parashikohen dispozitat ligjore plotësuese të nenit 60 të Kodit Rrugor, për vlerësimin dhe klasifikimin e mjeteve rrugore si historike.
Përmes këtij akti synohet që t’u jepet një vlerë këtyre mjeteve, si dhe të promovohen pronarët ose poseduesit e tyre që të zhvillojnë pasionin e automobilizmit.
Dispozitat në fjalë, vijnë në përputhje me pikën 13 të Preambulës dhe të pikës 2 të nenit 2 të Direktivës 2014/45/EU që parashikon se mjetet rrugore të hershme (Vehicles of historical interest) konsiderohen ato mjete që ruajnë trashëgiminë e periudhës në të cilën janë konstruktuar.
Në vështrim të këtyre dispozitave një mjet rrugor që të konsiderohet i hershëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
1. të jetë i prodhuar së paku përpara 30 (tridhjetë) vitesh;
2. të jetë i ruajtur apo i rikonstruktuar në formën e tij origjinale, për shkak të ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturës teknike;
3. të mos jetë më në prodhim.
Në pikën 12, të nenit 211/a të VKM nr.153, datë 07.04.2000 (të ndryshuar me VKM nr.880, datë 24.12.2019), parashikohet se: Institucionet shtetërore kanë detyrimin për të informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor lidhur me mjetet rrugore të hershme që kanë në inventarin e tyre.
Në përputhje me shkronjën “a” të nenit 5 të ligjit nr.9874, datë 14.02.2008 “Për ankandin publik” të ndryshuar, parashikohet se: nuk zbatohen dispozitat e këtij ligji kur objekti i shitjes është një objekt i trashëgimisë kulturore me vlera historike, kombëtare, shkencore, kulturore, arkeologjike.
Në vijim dhe në mbështetje të ligjit nr.9874/2008, po në pikën 12 të nenit 211/a të VKM nr.153, datë 07.04.2000 (të ndryshuar me VKM nr.880, datë 24.12.2019), parashikohet se: Shitja, nxjerrja jashtë përdorimit apo shitja në formën e skrapeve nuk mund të bëhet pa marrë paraprakisht miratimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Nisur nga sa më sipër, lutemi që nga ana juaj të vijohet me inventarizimin dhe informimin e DPSHTRR lidhur me mjetet rrugore që plotësojnë kriteret e sipërcituara me qëllim ndërmarrjen e hapave të nevojshme ligjore për vlerësimin, klasifikimin apo dhe ruajtjen e këtyre mjeteve, pjesë të historisë së automobilizimit shqiptar. Gjithashtu, lutemi të mos vijohet me shitjen e mjeteve që plotësojnë kriteret e sipërcituara pa marrë paraprakisht miratimin e DPSHTRR-së.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin!
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor