Skip to main content

Një kartolinë Retro nga Saranda

Submitted by admin on
Fundjava e 21-22 Maj 2022, ishte shpërthyese në skenën e shëtitores së Sarandës mbushur me mjetet Retro. Saranda na ftoi të rizbulonim vlerat e bukuritë e rivierës shqiptare, kështu koleksioni i mjeteve historike shqiptare u ekspozua dhe ngjyrosi një pjesë të madhe të zonës më të frekuentuar buzë detit. Muzikë, kërcim e plot detaje kulturore krijuan ndërthurjen e bukur me atmosferën e krijuar prej pasionit për mjetet historike, lundrimit me varkë, kulinarisë e zakoneve vendase! Për herë të pare u zhvillua Konkursi i Elegancës, që përfshinte mjetet e ekspozuara në Sarandë gjatë kësaj fundjave. Ndërsa vizitorët sodisnin mjetet e emëruara dhe numëruara, do të votonin më pas pranë Punishtes së Targave Suvenir. Nga votimi i publikut prezent në aktivitet dhe atij nga shtëpia, Çmimi i Publikut shkoi për mjetin me nr. 27 - një VW Beetle e koleksionistit L. Osmani! Ndërsa Çmimi i Koleksionistit, për mjetin nr. 10 - një BMW seria 6 E-24, e Z. R. Burgija nga Oldtimers Club Prizreni. Iu gëzuam verës dhe pushimeve shqip, ndërsa me targat suvenir shumë vizitorë vendas dhe të huaj zgjodhën të shënonin kujtimet e bukura të mbledhura aty. Komuniteti Retro është mirënjohës ndaj koleksionistëve për pasionin dhe përfshirjen dhe të gjithë publikut që e bëri të mundur këtë edicion të parë të Konkursit duke votuar, gjithashtu edhe ndaj Bashkisë Sarandë që na ftoi të hapnim së bashku këtë sezon turistik 2022. Retro, fishekzjarre mirëpritje dhe shije parajse tropikale me det, diell e dashuri, përbënin kartolinën e këtyre ditëve në Sarandë!