Përpara se të importoni një mjet në Republikën e Shqipërisë, ju duhet të informoheni mbi hapat për t’u ndjekur, nisur nga viti i prodhimit të mjetit që dëshironi të importoni.
Mjet i prodhuar para vitit 1970
Mjetet e prodhuara përpara vitit 1970 mund të importohen pasi konsiderohen si mjete të hershme me interes historik dhe koleksionimi:
- automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
- automjetet e prezantuara si model për prodhim deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit efektiv të prodhimit;
- automjetet që paraqesin vlera teknike, muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.
Pas përfundimit të procesit të zhdoganimit, vijoni me aplikimin për RETRO.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 633, datë 26.10.2018.
https://www.retro.al/sites/default/files/downloads/vkm_nr.633_dt.26.10.2018.pdf
VERIFIKO NJË MJET HISTORIK
Lista e mjeteve historike përditësohet rregullisht. Grupi i ekspertëve që kanë hartuar listën marrin në shqyrtim të gjitha kërkesat për informim në lidhje me modele që mund të mos jenë përfshirë në këtë listë. Këto kërkesa do të vlerësohen rast pas rasti, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.
Nëse mjeti që dëshironi të regjistroni në Retro nuk bën pjesë në Listën Zyrtare të Mjeteve Historike (pasqyruar në këtë faqe), si listë referencë para Vlerësimit nga Komisioni Retro pranë DPSHTRR, do duhet të depozitoni një kërkesë dhe të prisni përgjigjen!
Lista e mjeteve historike përditësohet rregullisht (çdo gjashtë muaj).
Mjet i prodhuar ndërmjet viteve 1970-1992
Konsultoni Listën Zyrtare të Mjeteve Historike për mjetet e prodhuara ndërmjet viteve 1970-1992. Kjo Listë vlen për të verifikuar nëse mjeti që dëshironi të blini, importoni apo restauroni mbart vlerat e nevojshme historike për t'u bërë pjesë e Koleksionit RETRO.
Prania në këtë listë është një kriter i domosdoshëm për importin e një mjeti historik që synon të marrë statusin Retro. Gjithashtu, për përfshirjen në Regjistrin e Mjeteve RETRO, mjeti duhet të jetë i mirëmbajtur, të jetë restauruar duke ruajtur origjinalitetin, etj.
a. Nëse mjeti është pjesë e listës, mund të vijohet me importin e tij.
Për të kryer procedurën e zhdoganimit, punonjësi i doganës nis një kërkesë me email pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për zhdoganimin si mjet RETRO. Sektori i Verifikimit të Mjeteve pranë DPSHTRR jep konfirmimin nëpërmjet e-mailit te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pasi ka verifikuar që modeli i mjetit është i përfshirë në listën e mjeteve historike. Kjo procedurë realizohet në 1-2 ditë.
Pas përfundimit të procesit të zhdoganimit, vijoni aplikimin për RETRO.
b. Nëse mjeti nuk është pjesë e kësaj liste zyrtare të miratuar, ju nuk mund ta importoni atë pasi nuk do të mund ta regjistroni e të qarkulloni me të.
Të gjitha kërkesat e depozituara për informim në lidhje me modele që nuk janë përfshirë në këtë listë do të shqyrtohen nga grupi i ekspertëve që kanë hartuar Listën, duke marrë parasysh informacionet specifike mbi modelin apo dokumentet që lidhen me historikun e një mjeti të veçantë.
Mjet i prodhuar ndërmjet viteve 1991-2001 “Future Classics”
Mjetet rrugore të hershme me interes historik dhe koleksionimi, të cilat synojnë të regjistrohen si mjete "RETRO", por që aktualisht nuk e plotësojnë kriterin e vjetërsisë 30 vjet, kanë të drejtën të aplikojnë për një skemë regjistrimi të përkohshme. Qëllimi i regjistrimit të përkohshëm është ruajtja e vlerave teknike dhe autentike të mjetit rrugor të hershëm, në mënyrë që ai të mos dëmtohet nga mospërdorimi, duke mos humbur kështu mundësinë për t’u kualifikuar si mjet "RETRO" pasi të arrijë vjetërsinë e kërkuar.
Mjetet e përfshira në listën “Future Classics”, me vjetërsi nga 25 vite deri në përmbushjen e vjetërsisë së nevojshme prej 30 (tridhjetë) vitesh, mund të pajisen me leje qarkullimi për qarkullim të përditshëm dhe targa të zakonshme, duke u regjistruar përkohësisht në Regjistrin Kombëtar të Mjeteve Rrugore. Leja e qarkullimit e këtyre mjeteve duhet të lëshohet me afat të përcaktuar, sipas afatit të konfirmuar nga Komisioni "RETRO" deri në përmbushjen e vjetërsisë së nevojshme prej 30 (tridhjetë) vitesh.
Regjistrimi i përkohshëm jepet për një afat të përcaktuar, jo më shumë se 5 (pesë) vjet. Pas këtij afati, mjeti duhet detyrimisht të çregjistrohet si mjet për qarkullim të përditshëm dhe do t’i nënshtrohet rregullave për fitimin e statusit "RETRO" dhe regjistrimin si mjet "RETRO".
Kriteret për regjistrimin me afat të caktuar të këtyre mjeteve janë si më poshtë:
Të jenë të prodhuara ndërmjet 25 dhe 29 vite;
Përpara regjistrimit të mjetit, të jetë vlerësuar nga Komisioni "RETRO" që kriteret për fitimin e statusit "RETRO" sipas nenit 6, por me përjashtim të germës “a” të pikës 1 të nenit 6, janë përmbushur;
Të jenë lëshuar Formularët R01, R02, R03;
Nga ana e komisionit "RETRO", në formularin R03, duhet të jetë përcaktuar:
afati se kur do të përfundojë regjistrimi si mjet për përdorim të përditshëm (afat i cili do të shënohet në rubrikën “shënime” në lejen e qarkullimit) dhe nuk mund të bëhet ndërrimi i pronësisë deri në momentin e fitimit të statusit “RETRO”;
vendimi që mjeti i plotëson kriteret dhe ndjekja e procedurave për regjistrim për përdorim të përditshëm deri në përfundim të afatit.
Për regjistrimin e këtyre mjeteve në DRSHTRR-të respektive, do të zbatohet procedura në fuqi e regjistrimit të mjeteve rrugore;
- Nga DRSHTRR-ja ku mjeti ka përfituar shërbimin, do të aplikohet masa administrative e bllokimit të pronarit në sistem, duke pezulluar çdo procedurë për ndryshimin e pronësisë së mjetit deri në përmbushjen e kriterit ligjor të vjetërsisë prej 30 (tridhjetë) vjetësh.
- Pronari i mjetit do të njoftohet paraprakisht për datën e përfundimit të afatit të përcaktuar, pas përfundimit të afatit të përcaktuar në lejen e qarkullimit, pronari duhet të dorëzojë targat dhe lejen e qarkullimit. Nëse pronari nuk paraqitet brenda afatit 30 ditor, DRSHTRR kryen njoftimet me shkresë zyrtare drejtuar zotëruesit të mjetit dhe pas 7 (ditësh) kalendarike, bën bllokimin total të mjetit dhe kryen njoftimin pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Me përmbushjen e kriterit të vjetërsisë 30 vite, me kërkesën e zotëruesit mjeti çregjistrohet nga regjistri kombëtar i mjeteve rrugore(Çregjistrim i përhërshëm për Retro) duke ndjekur procedurën e çregjistrimit për mjetet, me status "RETRO" ku dorëzon lejen e qarkullimit, targat e mjetit dhe i nënshtrohet sërish verifikimit nga Komisioni "RETRO", me qëllim pajisjen përfundimtare me statusin e mjetit historik.