Skip to main content

PARADA “RETRO” E MJETEVE HISTORIKE SHQIPTARE, PASIONI QË JETON MES KUJTIMEVE

-
Tirane

PARADA “RETRO” E MJETEVE HISTORIKE SHQIPTARE, PASIONI QË JETON MES KUJTIMEVE!
Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, shtetet e Europës festojnë në formën më të pazakontë “Javën Europiane”, nën moton e distancimit social por që në fakt na bashkon edhe më shumë në këtë sfidë të përbashkët të triumfit të jetës. Prej dy muajsh kemi jetuar mes kujtimeve, pasioneve dhe dëshirave duke vlerësuar rëndësinë e çdo momenti të bukur dhe emocioni që ndizet nga nostalgjia. 


Megjithatë, koncepti i izolimit nuk është i panjohur për Shqipërinë e vogël, historia e së cilës ka udhëtuar vite më parë mes peripecive dhe mbylljes së kufijve të mendimit të lirë e deri në vetëmohim për të qenë konform normave shoqërore të kohës. Sisteme të ngritura mbi izolimin e ndjesive dhe dëshirave ku shprehja e individualitetit, të bukurës dhe të huajës shihej si një kërcënim ndaj vendit dhe dënohej ashpër, një realitet që vështirë të kuptohet për të rinjtë e sotëm. Por, disa njerëz, me shpirt rebel e të padakordësuar me depersonalizimin në seri gjatë periudhës së komunizmit, gjetën rrëkeza lirie për të fshehur pasionet e tyre për artin, muzikën, kinematografinë, por edhe për botën e automotorizimit. Pavarësisht se në dukje mjetet mbuloheshin nga tenda të arnuara, mjeshtrat dhe dashamirësit që udhëtuan me mjetet e pakta të asaj kohe, i ruajtën ato me fanatizëm duke i kthyer në tempuj të artit që i rezistojnë kohës.


Dikur një komunitet i padukshëm dhe i pluhurosur në vitet e harresës, prej tashmë 1 viti, komuniteti RETRO i krijuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ka bashkuar qindra koleksionistë mjetesh shqiptare dhe pasionin e tyre për ruajtjen e vlerave historike dhe të vetëdijes qytetare në këtë ditë kuptimplotë të Javës Europiane. Ndonëse të lëna jashtë vëmendjes publike për kaq shumë kohë, mjetet historike shqiptare do fitojnë shumë shpejt të drejtat historike të merituara, duke u bërë pjesë e Regjistrit Zyrtar RETRO i cili do mundësojë lehtësirat e shumëpritura për koleksionistët shqiptarë.


Muzeu lëvizës simpatik i koleksionit RETRO udhëton në trajtën e një parade surprizë në rrugët kryesore të kryeqyteti ku dashamirësit e nostalgjisë sodisin nga dritaret dhe ballkonet e tyre nën ritmet e muzikës Jazz & Swing, kuruar aq bukur nga Hemingway Fan Club Albania. Një paradë me modele të ndryshme mjetesh që pasurojnë me ngjyra jete rrugët e qeta të Tiranës dhe manifeston shpresën në sytë kureshtarë duke rikujtuar sërish se kufijtë gjeografik nuk mund të  izolojnë mendimet dhe shpirtin e që jeta do triumfojë gjithmonë pas çdo vështirësie e pengese për ata që nuk e humbin kurrë besimin.