Retro N’Shkodër/ Muzikë Jazz, makina të vjetra dhe veshje të stilit amerikan!
Duket si Shkodra e viteve 20’-30’. A thua se koha ka ndalur! Zona muzeale e Gjuhadolit në Shkodër u gjallërua nga muzika Jazz-Swing shoqëruar me mjetet e koleksionit historik që ia shtuan edhe më shumë bukurinë këtij aktiviteti. Karvani me koleksionistë, gazetarë e organizatorë shëtiti në paradë nga Shkodra deri në shëtitoren e re të Shirokës, ku shkodranët e turistët ju bashkuan festës Retro.
Vajza, gra, djem dhe burra u kthyen pas në kohë ndërsa shijuan pafund aktivitetin “Retro N’Shkodër” me muzikë Jazz dhe makina të vjetra.
Miqtë e retros, muzikës Jazz dhe pasionantët e makinave të vjetra u përshtatën edhe me veshjen duke na kthyer në një realitet të 100 viteve më parë. Gra e vajza me rruza të kuqe e të bardha, fjongo të ngjyrave të ndryshme në flokë, kapele të stilit të vjetër, fustane e bluza plot hijeshi si dhe këpucë të nxjerra thuajse nga harresa. Djem e burra të kuruar. Mjekër të stiluar, këmisha klasike si dhe pantallona të vjetra. Një klas i vërtetë.
Mjetet e 100 viteve më parë qëndruan poshtë godinave karakteristike në Gjuhadol, një lagje e vjetër e Shkodrës e ndërtuar kryesisht nga i famshi Kol Idromeno dhe ngjanin si skenarët e filmave.
(Nga www.cna.al)